Ligji për pensionet private do ndryshojë sërish, skema dhe rregulla të reja për fondet
Projektligji sjell pensionet profesionale, rregulla për fondet ndërkufitare dhe kërkesa më të forta për administruesit.
Një paketë e re ndryshimesh në ligjin “Për fondet e pensionit privat” synon të ndryshojë mënyrën se si rregullohen dhe mbikëqyren skemat private të pensioneve në Shqipëri. Projektligji i publikuar për konsultim publik zgjeron fushën e ligjit, duke përfshirë në mënyrë të posaçme institucionet e pensionit profesional (IORP), fondet me pjesëmarrje të hapur dhe të mbyllur, si dhe rregullat për skemat me kontribute apo përfitime të përcaktuara.
Hapet rruga për pensionet profesionale
Një nga ndryshimet kryesore është formalizimi i konceptit të skemave profesionale të pensionit, të krijuara në kuadër të marrëdhënieve të punës nga një ose më shumë punëdhënës, organizata punëdhënësish ose punëmarrësish apo përmes marrëveshjeve kolektive.
Projektligji specifikon më qartë edhe dy modelet që ishin të parashikuara në ligjin e ndryshuar në vitin 2023. I pari është modeli me kontribute të përcaktuara, ku përfitimi lidhet me kontributet dhe kthimin nga investimi, ndërsa i dyti është modeli me përfitime të përcaktuara, ku niveli i pensionit përcaktohet paraprakisht mbi bazën e faktorëve të tillë si paga dhe vjetërsia në punë.
Rregulla të reja për pensionet ndërkufitare me BE-në
Projektligji sjell rregulla të posaçme për administrimin e fondeve të pensionit ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Një shoqëri administruese shqiptare mund të administrojë një fond pensioni në një shtet tjetër anëtar, pas procedurave të njoftimit dhe miratimit të parashikuara në ligj.
Në të njëjtën kohë, një shoqëri administruese ose institucion pensioni profesional i autorizuar në një shtet anëtar të BE-së mund të administrojë një fond me pjesëmarrje të mbyllur për një sponsor në Shqipëri, pa kërkuar një miratim të veçantë nga Autoriteti shqiptar, sipas procedurës së përcaktuar në projektligj.
Ndryshimet shoqërohen edhe me rregulla për transferimin ndërkufitar të skemave, të drejtave pensionale dhe aktiveve. Transferimi kërkon, ndër të tjera, pëlqimin paraprak të shumicës së thjeshtë të anëtarëve dhe përfituesve të prekur, ndërsa kostot e transferimit nuk mund t’u ngarkohen atyre.
Më shumë informacion përpara anëtarësimit në një skemë
Një tjetër ndryshim me ndikim të drejtpërdrejtë tek anëtarët lidhet me informacionin që duhet të marrin përpara anëtarësimit. Shoqëritë administruese duhet të informojnë anëtarët e mundshëm për karakteristikat kryesore të skemës, alternativat e investimit dhe mënyrën se si merren parasysh faktorët mjedisorë, klimatikë, socialë dhe të qeverisjes në politikën e investimeve.
Kur anëtari mban rrezikun e investimit ose merr vendime për investimin, informacioni duhet të përfshijë edhe performancën e kaluar për të paktën pesë vjet, si dhe natyrën dhe masën e tarifave, kostove dhe shpenzimeve. Edhe përfituesit gjatë fazës së pagesës duhet të marrin periodikisht informacion për përfitimet që u takojnë dhe opsionet e pagesës.
Njoftim deri në tre vjet përpara daljes në pension
Projektligji parashikon një afat konkret për informimin e anëtarit përpara daljes në pension. Jo më vonë se tre vjet përpara arritjes së moshës së pensionit, shoqëria administruese duhet ta informojë anëtarin për gjendjen e llogarisë individuale, mënyrat e mundshme të pagesës dhe procedurat për ushtrimin e tyre. I njëjti informacion duhet të përditësohet edhe tre muaj përpara daljes në pension.
Kontroll më i fortë mbi administruesit
Projektligji vendos kërkesa më të detajuara për aftësinë, reputacionin dhe kualifikimet profesionale të administratorëve dhe personave që mbajnë funksione kryesore. Në strukturat e shoqërive administruese përcaktohen funksione të posaçme për administrimin e aktiveve dhe investimeve, administrimin e rrezikut, përputhshmërinë, auditimin e brendshëm dhe, kur kërkohet, funksionin aktuarial.
Një tjetër risi është detyrimi që personi që ushtron një funksion kryesor të njoftojë Autoritetin kur identifikon një rrezik material ose një shkelje të rëndësishme dhe organet drejtuese nuk marrin masat e nevojshme korrigjuese.
Kapitali minimal përcaktohet në 125 mijë euro
Projektligji përcakton kapitalin minimal aksionar të shoqërisë administruese në ekuivalentin në lekë të 125 mijë eurove. Kërkesa për kapital të mjaftueshëm zbatohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa për shoqëritë me aktive nën administrim mbi 250 milionë euro parashikohet rritja e fondeve të veta me 0.02% të aktiveve që tejkalojnë këtë prag, deri në një maksimum prej 10 milionë eurosh.
Faktorët ESG përfshihen në vendimmarrjen për investimet
Ndryshimet sjellin edhe integrimin e faktorëve mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes (ESG) në procesin e vendimmarrjes për investimet, ndërsa sistemi i qeverisjes duhet t’i nënshtrohet rishikimit periodik.
Në të njëjtën linjë, vlerësimi i rrezikut duhet të marrë në konsideratë rreziqet e lidhura me ndryshimet klimatike, mjedisin, faktorët socialë, ndryshimet rregullatore dhe rreziqe të tjera të reja, kur këta faktorë merren parasysh në vendimmarrjen për investimet.
Më shumë hapësirë për investime, por me kufizime ndaj riskut
Shoqëritë administruese mund të ushtrojnë edhe aktivitete të tjera financiare, si administrimi i sipërmarrjeve të investimeve kolektive, fondeve alternative apo menaxhimi individual i portofolit, por vetëm me licencimin përkatës dhe me ndarje të qartë të aktiveve, detyrimeve, kontabilitetit, kontrollit të brendshëm dhe administrimit të rrezikut.
Projektligji parashikon gjithashtu që aktivet e fondeve të investohen kryesisht në tregje të rregulluara, ndërsa investimet në tregje të parregulluara të kufizohen në nivele të kujdesshme. Përdorimi i instrumenteve derivative lejohet për uljen e rrezikut ose administrimin efikas të portofolit, duke shmangur ekspozimet e tepërta.
Kuadri afrohet me standardet europiane
Në praktikë, projektligji e zhvendos kuadrin e pensioneve private nga një fokus kryesisht kombëtar drejt një modeli më të integruar me standardet europiane. Pensionet profesionale dhe institucionet IORP marrin një vend të përcaktuar në ligj, krijohet një kuadër për veprimtarinë dhe transferimet ndërkufitare me Bashkimin Europian, ndërsa rriten kërkesat për transparencën ndaj anëtarëve dhe përfituesve.
Njëkohësisht, ndryshimet parashikojnë rregulla më të detajuara për qeverisjen e fondeve, menaxhimin e rrezikut dhe kontrollin mbi shoqëritë administruese, duke zgjeruar kuadrin aktual të funksionimit të tregut të pensioneve private në Shqipëri.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)